1641 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Isufaj ka prezantuar aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2017 nga Këshilli Prokurorial i Kosovës

Prishtinë, 27 dhjetor 2017 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, në konferencën vjetore për media të mbajtur sot, ka prezantuar aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2017 nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Në raportin e prezantuar para mediave, Kryesuesi Isufaj ka thënë: “të nderuar përfaqësues të mediave, të nderuar anëtarë të Këshillit Prokurorial, të nderuar të pranishëm, mirë se keni ardhë në konferencën e fund vitit të organizuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, ku do të pasqyrohet puna një vjeçare e Këshillit, rezultatet dhe sfidat me të cilat jemi ballafaquar gjatë vitit që po e lëmë pas.

  1. Baza ligjore – përbërja e KPK-së

Këshilli Prokurorial i Kosovës është institucion i pavarur dhe mandati i tij është i përcaktuar me kushtetutë dhe me ligj.

Këshilli përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, dhjetë (10) prej tyre prokurorë, tre jo prokurorë.

Gjatë vitit që po lëmë pas Këshilli funksionoi me 10 anëtarë, përderisa edhe përkundër përpjekjeve tona ende nuk është plotësuar me tre anëtarët jo – prokurorë.

Gjatë vitit 2017 ishin funksionale të gjitha komisionet e Këshillit dhe ato vepruan sipas një planifikimi të përcaktuar paraprakisht.

  1. Mandati

Mandati kryesor i Këshillit është rekrutimi i prokurorëve dhe propozimi i tyre për emërim dhe riemërim, vlerësimi, ngritja në detyrë, transferimi, disiplinimi, ofrimi i mbështetjes për trajnimin e prokurorëve. Këshilli gjithashtu menaxhon buxhetin vjetor për Këshillin dhe prokuroritë në mënyrë të pavarur dhe mban përgjegjësi për mbikëqyrjen e shpenzimeve, alokimin e fondeve, mirëmbajtjen e llogarive të sakta dhe auditimeve financiare.

Siç mund ta dini, Këshilli udhëhiqet nga Kryesuesi i cili zgjidhet nga radhët e anëtarëve prokurorë të Këshillit dhe sipas mandatit që ka, Kryesuesi i Këshillit së paku një herë në vit paraqet raporte publike vjetore për performancën, veprimet, kostot dhe nevojat buxhetore të sistemit prokurorial.

Bazuar në këtë mandat, kam kënaqësinë që të paraqes para publikut raportin me aktivitetet vjetore të Këshillit.

  1. Aktivitetet kryesore të KPK-së për vitin 2017

Mbështetur në kompetencat ligjore dhe bazuar në planin e punës të përcaktuar për vitin 2017, Këshilli ka arritur që me sukses të plotë të realizojë disa procese shumë të rëndësishme për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial.

Këshilli prokurorial ka mbajtur 19 takime gjatë vitit 2017, ku njëri prej tyre ka qenë takim i përbashkët me Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Ndër sukseset dhe punët kryesore të realizuara nga Këshilli janë si në vijim:

  1. Miratimi i akteve nënligjore

Gjatë vitit 2017, Këshilli ka arritur të hartojë dhe aprovojë të gjitha aktet nënligjore si në vijim:

  • Rregullorja Nr.01/2017 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr.09.2015, për Zgjedhjen e Kryesuesit dhe Zëvendës Kryesuesit të Këshillit;
  • Rregullorja Nr.02/2017 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr.03.2016, mbi Rolin dhe Veprimtarinë e Bordit Drejtues të Projektit TIK-SMIL;
  • Rregullorja Nr.03/2017 për Komisionin për Administrimin e Prokurorive;
  • Rregullorja Nr.04/2017 për Klasifikimin e Informacioneve të Sistemit Prokurorial të Republikës së Kosovës;
  • Rregullorja Nr.05/2017 për Komisionin për Buxhet, Financa dhe Personel;
  • Rregullorja Nr.06/2017 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores Nr.02.2015 për Zgjedhjen e Anëtarëve të KPK-së.

Me miratimin e këtyre rregulloreve është plotësuar në vazhdimësi korniza nënligjore e sistemit prokurorial në varësi të nevojave dhe mandatit të Këshillit.

Dëshiroj të theksoj faktin se tërë kjo kornizë nënligjore është hartuar me kapacitetet e vet sistemit prokurorial dhe në mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtar.

  1. Rekrutimi i prokurorëve të rinj

Pas një analize të nevojave, Këshilli Prokurorial, me 29 mars 2017 mori vendim për shpalljen e pozitave të lira për prokurorë të rinj-shtesë në të gjitha prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.

Konkursi ka qenë i hapur prej 04 prill deri më 19 prill 2017. Në procesin konkurrues aplikuan 190 kandidatë për prokurorë.

Pas përfundimit të procesit të rekrutimit, Komisioni për Rekrutim i themeluar nga Këshilli Prokurorial ka përzgjedhur 21 kandidatë për prokurorë të cilët Këshilli do t’i propozojë për dekretim te Presidenti. Planifikohet që të njëjtit të fillojnë me trajnimin fillestar gjatë janarit 2018. Për më tepër, Këshilli Prokurorial planifikon të fillojë procesin e rekrutimit edhe të 10 prokurorëve të rinj gjatë vitit të ardhshëm e që të njëjtit do të plotësojnë pozitat e lira dhe pozitat e prokurorëve që dalin në pension gjatë vitit të ardhshëm. Me rekrutimin e këtyre prokurorëve, Këshilli do të plotësojë numrin e prokurorëve të nevojshëm për sistemin prokurorial.

  1. Procesi i integrimit në veri

Gjatë këtij viti është bërë me sukses integrimi i 13 prokurorëve dhe 32 zyrtarëve administrativ të komunitetit jo shumicë sipas Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi. Me këtë rast, Prokuroria Themelore në Mitrovicë është vendosur në objekt të ri dhe të gjithë prokurorët dhe stafi administrativ kanë filluar punën. Ky proces ka shënuar edhe fillimin e punës normale të kësaj prokurorie e cila që nga viti 2008 punonte në kushte shumë të rënda.

  1. Avancimi dhe transferimi i prokurorëve

Këshilli Prokurorial, gjatë vitit 2017 ka realizuar edhe dy procese të transferimit dhe avancimit të prokurorëve në varësi të nevojave dhe kapaciteteve aktuale në sistem.

Në procesin e parë janë avancuar 6 prokurorë dhe atë 3 prokurorë nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore të Prishtinës dhe 3 prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Ndërsa në procesin e dytë, janë avancuar 2 prokurorë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës

Si rezultat, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2017 është plotësuar me 5 prokurorë shtesë. Me qëllim të plotësimit të kapaciteteve të kësaj prokurorie Këshilli dhe Prokurori i Shtetit kanë mbështetur iniciativën për plotësim ndryshimin e Ligjit për Prokurorin e Shtetit dhe shpresojmë që ky ligj të kalojë së shpejti në mënyrë që Prokuroria Speciale të ketë numrin e nevojshëm të prokurorëve. Gjatë viti 2017, Këshilli ka mbështetur këtë prokurori edhe me personel administrativ duke rekrutuar ata me prioritet.

  1. Disiplinimi i prokurorëve

Lidhur me disiplinimin e prokurorëve mund të theksoj se Këshilli gjatë vitit 2017 ka pranuar 6 raste të reja, kurse ka shqyrtuar 14 raste përfshirë edhe ato të trashëguara. Pas një pune intensive të Komisionit Disiplinor, Këshilli ka vërtetuar masat në vijim:

  • Qortim me urdhër për ndërmarrje të veprimeve korrigjuese
  •  Zvogëlim i përkohshëm i pagës në tridhjetë përqind (30%), për periudhën 3 (tre) mujore

Ndërsa, Komisioni Disiplinor i Këshillit ka marrë vendimet si në vijim:

  • 7  Vendime - Pushim i procedurës disiplinore (5 për shkak se prokurori/ja nuk është më në sistemin prokurorial) dhe (2 për shkak të parashkrimit të procedurave disiplinore).
  • 2 Refuzim i kërkesës për suspendim/kanë dhënë dorëheqje nga detyra e prokurorit pasi që i është caktu shqyrtimi disiplinor.
  • 1 zvogëlim i përkohshëm i pagës në tridhjetë përqind (30%), për periudhën 3 mujore.
  • 1 zvogëlim i përkohshëm i pagës në njëzetë përqind (20%), për periudhën 6 mujore.
  • 1 zvogëlim i përkohshëm i pagës në njëzetë përqindësh (20%), për periudhën 3 mujore.
  • 1 suspendim pa pagesë. 
  1. Vlerësimi i Performancës së Prokurorëve

Përmes Komisionit për Vlerësimin e Performancës, Këshilli gjatë vitit 2017 ka vlerësuar 33 prokurorë me mandat të përhershëm, në mesin e të cilëve edhe kryeprokurorë. Po ashtu, Komisioni ka vlerësuar 48 prokurorë në kuadër të mandatit fillestar, me vlerësimin e të cilëve është tejkaluar përmbushja e objektivit të planit vjetor të komisionit. (Plani vjetor kishte paraparë vlerësimin për 61 prokurorë, ndërsa janë vlerësuar 81 prokurorë, respektivisht është tejkaluar plani vjetor për 32.79%).

  1. Efikasiteti në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik

Me qëllim të ngritjes së efikasitetit në trajtimin e rasteve të korrupsionit dhe krimit ekonomik, gjatë këtij viti, Këshilli ka zbatuar një plan strategjik specifik si dhe ka monitoruar punën e Njësitit për Korrupsion dhe Krim Ekonomik në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Raportet aktuale tregojnë për një efikasitet të dukshëm në trajtimin e rasteve të korrupsionit nga ky njësit, por detajet do të referohen në raportin vjetor të Prokurorit të Shtetit i cili do të prezantohet në fillim të vitit që vjen, sepse statistikat për tre mujorin e fundit të vitit ende nuk janë raportuar.

Tani për tani ne mund të paraqesim trendin aktual të efikasitetit të zgjidhjes së lëndëve të Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike

  • Korrupsioni:

Nga 381 kallëzime penale të pranuara (janar-shtator 2017) janë proceduar (zgjidhur) 321 kallëzime penale apo 84.25%, ndërsa nga 630 persona në kallëzimet penale të pranuara (janar-shtator 2017) janë proceduar (zgjidhur) 681 raste për persona apo 108.10%.

  • Krimet Ekonomike:

Nga 374 kallëzime penale të pranuara (janar-shtator 2017) janë proceduar (zgjidhur) 362 kallëzime penale apo 96.79%, ndërsa nga 506 persona në kallëzimet penale të pranuara (janar-shtator 2017) janë proceduar (zgjidhur) 495 raste për persona apo 97.83%.

  1. Sekretariati i Këshillit Prokurorial

Gjatë këtij viti Sekretariati i Këshillit, ka implementuar reformimin e strukturave të brendshme organizative dhe sistematizimin e vendeve të punës në Sekretariatin e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Është bërë hartimi i procedurave standarde te veprimit për njësitë organizative të Sekretariatit dhe janë bërë planet e punës për vitin 2018 të Departamenteve, Divizioneve dhe Zyrave të SKP-së.

Gjatë këtij viti, Sekretariati ka arritur që të plotësojë edhe 21 pozita të personelit administrativ të cilat kishin mbetur të lira për arsye të ndryshme nëpër prokuroritë e Kosovës si: referentë, zyrtarë për përkthime, zyrtarë ligjor, zyrtarë për buxhet dhe financa, bashkëpunëtorë profesional, Udhëheqës për Komunikim me Publikun, Udhëheqës i Departamentit për Buxhet Financa dhe Shërbime të Përgjithshme, Udhëheqës i Divizionit të Prokurimit. Po ashtu, gjatë këtij viti janë pranuar 128 praktikantë në të gjitha nivelet e prokurorive.

Në këtë vit, Këshilli i ka kushtuar kujdes të vazhdueshëm edhe sigurimit dhe përmirësimit e infrastrukturës fizike, të teknologjisë informative dhe të komunikimit në sistemin prokurorial gjatë viti 2017, me qëllim të ofrimit të kushteve optimale për punën e prokurorëve dhe personelit mbështetës.

Në këtë drejtim, gjatë këtij viti është arritur të bëhet akomodimi i stafit të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës në objektin e ri, është akomoduar stafi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në objektin e caktuar për këtë prokurori si dhe janë bërë disa intervenime në objektin e Prokurorisë Themelore të Gjilanit.

Sa i përket teknologjisë informative gjatë vitit 2017 janë zhvilluar aktivitetet si më poshtë:

  • Në kuadër të Projektit Sistemi informativ i menaxhimit të lëndëve në prokurori, deri më tani kanë përfunduar dy faza të zhvillimit të këtij sistemi, dhe momentalisht jemi në fazën e tretë të zhvillimit e cila përfshin menaxhimin e gjitha rasteve për kryerësit madhor për gjitha prokuroritë.
  • Po ashtu, janë nënshkruar tri (3) marrëveshje bashkëpunimi për ndërlidhjen e sistemeve elektronike me qëllim që të dhënat të barten në mënyrë elektronike.
  • Është ndërtuar qendra e të dhënave në Pallatin e Drejtësisë sipas standardeve bashkëkohore për dhoma të serverëve. Kjo qendër e të dhënave do të mundësojë që të gjitha sistemet elektronike të jenë të qasshme për stafin e prokurorive.
  • Është zhvilluar sistemi elektronik për menaxhim e veturave, i cili mundëson regjistrimin e gjitha të dhënave për vetura dhe si rezultat i kësaj do të kemi një përdorim më efikas dhe ekonomizim të shpenzimeve për vetura;
  • Është ndërtuar edhe sistemi elektronik për menaxhimin e dosjeve të prokurorëve. Përmes këtij sistemi do menaxhohen proceset si: rekrutimi i prokurorëve, vlerësimi i performancës, avancimi, transferimi, trajnimi si dhe rastet disiplinore.
  1. Njësiti Për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë

Përgjatë vitit 2017 Njësiti i Performancës kishte realizuar aktivitete të ndryshme në mbështetje të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, Komisionit për Rekrutim të Prokurorëve dhe Komisionit për Administrimin e prokurorive.

Ky njësit ka arritur të përfundojë të gjitha aktivitetet e planifikuara dhe të hartojë të gjitha raportet për performancën e Prokurorit të Shtetit, Raportin e Mekanizmit Përcjellës dhe raporte të ndryshme në pasqyrim të performancës së prokurorisë. Gjithashtu përmes zyrës së trajnimeve është arritur koordinimi i realizimit të trajnimeve të ndryshme për prokurorë dhe personel administrativ të sistemit prokurorial.

  1. Bashkëpunimi vendor dhe ndërkombëtar

Lidhur me bashkëpunimin vendor dhe ndërkombëtar, Këshilli ka vazhduar politikën e bashkëpunimit të hapur dhe profesional me të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare.

Ndër institucionet vendore do të veçoja; Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Akademinë e Drejtësisë të Kosovës, Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave, Odën e Avokatëve të Kosovës, Policinë e Kosovës, etj.

Kurse ndër institucionet, donatorët dhe partnerët ndërkombëtar do të theksoja bashkëpunimin me Ambasadën Amerikane, Zyrën e BE-së në Prishtinë e cila financon projekte të ndryshme, UNDP-në dhe agjencione të tjera të Kombeve të Bashkuara, Qeverinë e Norvegjisë, EULEX-in, Këshillin e Evropës, IRZ-në, GIZ-in, etj. 

Një pjesë e rëndësishme e bashkëpunimit është shprehur edhe në proceset e integrimit evropian ku të gjitha kapacitetet e Këshillit u janë përgjigjur në çdo kohë kërkesave për raportim.

  1. Plani strategjik dhe plani i veprimit

Lidhur me zbatimin e planit strategjik, mund të themi se objektivat të cilat kanë qenë të parapara të përmbushen gjatë viti 2017 në Planin e Veprimit të Planit Strategjik janë përmbushur. Me qëllim të mbikëqyrjes së zbatimit të planit strategjik, grupi punues i themeluar nga Këshilli ka hartuar raporte periodike për nivelin e zbatimit të planit strategjik.

  1. Komunikimi me publikun (strategjia për komunikim me publik, broshurat, ueb-faqja, raportet)

Siç është e paraparë me ligj, akte nënligjore dhe me Planin Strategjik të Këshillit, gjatë vitit 2017 ne kemi zhvilluar një komunikim efikas duke qenë transparent dhe të hapur me publikun dhe mediat.

Ne kemi mbajtur takime të hapura për publikun dhe mediat, kemi ofruar informata me interes për publikun përmes komunikatave, njoftimeve, sqarimeve, ndonjëherë edhe reagimeve, broshurave, buletinit mujor dhe faqeve zyrtare.

Me qëllim të ngritjes së transparencës është ri dizajnuar faqja zyrtare e Këshillit në të cilën është shtuar gama e informatave për KPK-në dhe vazhdimisht është përditësuar me informata relevante dhe në interes të publikut.

Përfundimisht, ne kemi miratuar Strategjinë për Komunikim të sistemit prokurorial për periudhën 2018-2021. Kjo strategji është hartuar në bashkëpunim me partner ndërkombëtar, Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe shoqërinë civile. Kjo strategji e cila do të fillojë të zbatohet në fillim të vitit 2018, ka paraparë shtimin e kapaciteteve njerëzore të sistemit prokurorial të Kosovës në fushën e komunikimit me publikun dhe mediat.

Në vitin 2018 do të bëhet rekrutimi dhe zgjedhja e zyrtarëve për informim në të gjitha prokuroritë e Kosovës, me qëllim të ngritjes së efikasitetit në komunikim dhe transparencë më të madhe ndaj publikut.

  1. Ngritja e kapaciteteve/trajnimet

Këshilli në bashkëpunim me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit ka arritur që edhe gjatë vitit 2017 të koordinojë dhe mbështesë ngritjen e kapaciteteve të prokurorëve dhe stafit. Në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë dhe partnerë të tjerë vendor e ndërkombëtar janë organizuar programe të ndryshme trajnuese bazuar në nevojat e sistemit prokurorial.

Ne kemi hartuar dhe adresuar politikat për trajnimin e vazhdueshëm të prokurorëve dhe stafit, ndërsa lidhur me trajnimin fillestar kemi bashkëpunuar me Akademinë e Drejtësisë ku 25 prokurorët e emëruar në fund të vitit 2016 këtë muaj e përfundojnë trajnimin fillestar dhe në janar 2018 fillojnë të ngarkohen me raste.

  1. Sfidat

Gjatë veprimtarisë sonë për vitin 2017 përveç të arriturave kishim edhe sfida të ndryshme. Dëshiroj të theksoj se ndër sfidat kryesore me të cilat jemi përballur janë ato si më poshtë:

  • Buxheti i pamjaftueshëm për të mbuluar një numër të obligimeve sidomos ato për ekspertë dhe avokatë të angazhuar sipas detyrës zyrtare. Në këtë drejtim Këshilli përmes kërkesës buxhetore për vitin 2017 kishte kërkuar një buxhet prej rreth 13 milion euro (13,775,252.00) ndërsa buxheti i aprovuar ishte rreth 9 milion euro (9,483,682.00). Për shkak të këtij buxheti ishte vështirë të realizohen disa nga objektivat e planifikuara.
  • Numri i vogël i personelit sidomos atij profesional ishte sfidë e vërtetë.
  • Specializimi i prokurorëve për trajtimin e krimeve karakteristike (korrupsioni, krimi i organizuar, krimi ekonomik).
  • Avancimi i komunikimit me media dhe publikun.
  • Ndërtimi i sistemit të menaxhimit elektronik të lëndëve (projekti TIK/SMIL).
  • Infrastruktura fizike (zgjerimi i hapësirave për Këshillin dhe Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit). 

Ne si Këshill Prokurorial i kemi trajtuar seriozisht këto sfida duke dërguar kërkesa të shumta dhe të argumentuara buxhetore si në Ministrinë e Financave, në Qeveri dhe në Kuvend.

Si rezultat me Ligjin për Buxhetin e vitit 2018 është miratuar një buxhet më premtues dhe një numër prej 148 pozitave (shumica profesionale) gjë e cila do të ketë ndikim serioz në përmirësimin e shërbimeve të sistemit prokurorial.

  1. Planifikimi i punës së Këshillit Prokurorial për vitin 2018

Dëshiroj të ju njoftoj se Këshilli Prokurorial e ka finalizuar planin vjetor të punës për vitin 2018 ku janë planifikuar të përfshihen aktivitetet e parapara me mandatin ligjor, Planin Strategjik 2016 – 2018 dhe kërkesat që burojnë nga procesi i integrimit Evropian.

Përfundimisht ju njoftoj se në pajtim me Ligjin, Këshilli në fillim të vitit 2018 do të publikojë raportin e punës për vitin 2017 dhe do ta bëjë të qasshëm në faqen zyrtare të Këshillit dhe në kopje fizike.

Ju falënderoj juve media për bashkëpunimin që kishim gjatë këtij viti, të ju uroj Vitin e Ri dhe të shpreh edhe njëherë gatishmërinë time dhe të Këshillit për avancimin edhe më tej të bashkëpunimit tonë në të ardhmen.”