2088 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

UNDP-ja mbështet ngritjen e kapaciteteve për transparencë të komunikimit publik

Prishtinë, 25 shtator 2018 - Prokurorët përgjegjës për media dhe zyrtarët e komunikimit publik në sistemin prokurorial po marrin pjesë në trajnimin dyditor, i cili realizohet nga “Internews Kosova” në kuadër të Projektit “Mbështetje përpjekjeve kundër korrupsionit në Kosovë” (SAEK), i lansuar dhe i mbështetur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP).

Ky trajnim është në funksion të ngritjes së kapaciteteve për tranasparencë publike dhe avancim të shkathtësive të prokurorëve, përgjegjës për media, zëdhënësve dhe zyrtarëve për komunikim publik në Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në institucionin e Prokurorit të Shtetit, duke vënë në pah metodat më moderne dhe standardet më të larta teknike e përmbajtjesore të komunikimit publik, siç është përdorimi teorik dhe praktik i prompterit – lexuesit vizual me rastin e paraqitjeve para mediave dhe publikut.    

Në ketë kontekst, prokurorët dhe stafi tjetër trajnohen për hapat e paraqitjes së besueshmërisë në masë, krijimit të transparencës dhe origjinalitetit para opinionit publik, të cilat janë garanci të artikulimit të drejtë dhe të ngritjes së besueshmërisë institucionale.   

Gjithashtu, zhvillimi i trajnimit të tillë nga eksperti i “Internews Kosova”-s, z.Faik Ispahiu, përmban një program të gjerë teknikash teorike dhe praktike për përdorimin e njohurive fillestare, strategjisë së prezantimit publik, përgatitjen e materialit dhe tekstit, njohuritë fillestare për diksionin, aplikimin praktik, trajnimin teknik, vendosjen, montimin dhe çmontimin e pajisjes, menaxhimi e situatave të ndryshme, përgatitja e materialit dhe tekstit për prezantim para publikut.

Deri në fund të këtij viti, më qëllim të ngritjes se transparencës dhe performancës së përgjithshme të komunikimit publik parashihen edhe një sërë trajnimesh të tilla bazike dhe tryeza pune për standardizimin e mirëfilltë të informacionit dhe komunikimit publik në sistemin prokurorial të Republikës së Kosovës.