2091 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Nënshkruhet deklarata e përbashkët e tre krerëve të lartë të drejtësisë kosovare

Prishtinë, 25 shtator 2018 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj, Ministri i Drejtësisë, z.Abelard Tahiri dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kanë nënshkruar sot Deklaratën e Përbashkët gjatë prezantimit të Agjendës së Përbashkët “Drejtësia 2020”, duke potencuar fuqishëm se do të bëhet koordinimi i nevojshëm duke respektuar pavarësinë e plotë, neutralitetin dhe ndarjen e pushteteve, të secilit institucion, i cili është pjesë e agjendës së përbashkët.
 
Kreu i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Blerim Isufaj, ka theksuar se kjo agjendë e përbashkët tregon përkushtimin për fuqizimin e sundimit të ligjit, me ç’ rast sistemi prokurorial dhe tërë mekanizmat e tij do të jenë në shërbim të plotë të realizimit të saj, si një eveniment i çmuar për vendin tonë. Kurse, Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, ka deklaruar se ekziston përcaktimi i qartë që viti 2020 të jetë vit në të cilin nuk do flitet më për temat e njëjta dhe vit në të cilin drejtësia kosovare do të funksionojë me efikasitet të plotë dhe sistemi ynë i drejtësisë të jetë një sistem plotësisht i besueshëm, llogaridhënës, i përgjegjshëm dhe në shërbim të plotë ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, ka vlerësuar se suksesi arrihet kur bashkërendohen veprimet.
 
Si gjithnjë, edhe kësaj radhe, mbështetësja e fuqishme e proceseve në fushën e drejtësisë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadorit në shkuarje, Greg Delawie, ka potencuar se “Drejtësia 2020” nuk është vetçm obligim ligjor, por është e bazuar në dëshirën e sinqertë për të përmirësuar sundimin e ligjit për të plotësuar kërkesat e qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu, mbështetje në zbatimin e agjendës “Drejtësia 2020”, ka dhënë edhe shefi i Sektorit të Sundimit të Ligjit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Cezary Michalczuck, shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou, si dhe ambasadori i Britanisë së Madhe, Ruari O’Conoll.
 
Agjenda e Përbashkët “Drejtësia në Kosovë” paraqet planin dinamik për masat që do të ndërmarrin institucionet relevante bazuar në kompetencat e tyre ekskluzive, duke respektuar pavarësinë e plotë dhe ndarjen e pushteteve, të nxitura dhe të bazuara se ku duhet të jetë drejtësia kosovare në vitin 2020, vështruar nga perspektiva e cilësisë së shërbimeve, efikasitetit, kostos, kapaciteteve, qartësisë juridike të funksioneve, si dhe rritjes radikale të besimit të qytetarëve  në shtetin ligjor, që është përcaktuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.