2094 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Takim i Këshillit Drejtues të Projektit të BE-së

Prishtinë, 27 shtator 2018 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z. Blerim Isufaj, ai i Këshillit Gjyqësor, z. Nehat Idrizi, Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, z. Lavdim Krasniqi dhe përfaqësues të tjerë të sistemit të prokurorial dhe gjyqësor, si dhe institucioneve të tjera kosovare, morën pjesë në takimin e Këshillit Drejtues të Projektit, të financuar nga BE-ja dhe menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, me titull “Mbështetje e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”.  

Kryesuesi i KPK-së, z. Blerim Isufaj, ka falënderuar përfaqësuesit e BE-së për mbështetjen e ofruar institucioneve të sistemit prokurorial, me ç’rast ka pasur avancime pozitive dhe të gjithanshme nga aktivitetet e zhvilluara. “Rezultatet konkrete tashmë shihen dhe janë evidente në zbatimin e përditshëm të planit të këtij projekti, sidomos në fushat më vitale, duke sjellë të arritura të mëdha, ashtu siç është përcaktuar me objektivat e Projektit”, ka thënë z. Isufaj.

Në këtë takim, në të cilin ishte i pranishëm edhe udhëheqësi i Projektit, Ian McDonald, si dhe përfaqësues të tjerë nga Zyra e BE-së, u diskutua Raporti i pestë i programit tremujor (13 maj-12 gusht 2018), aktivitetet, vështirësitë e tejkaluara dhe mundësitë e shfaqura, pastaj u bë prezantimi i planit të aktiviteteve dhe përmbledhja  e ngjarjeve esenciale dhe platformave të palëve përfituese.

Gjatë takimit është diskutuar për katër komponentët kryesorë, siç janë: mbështetja e mëtejshme e institucioneve të Kosovës në luftën efikase kundër krimit të organizuar përmes përpjekjeve të fokusuara për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive të paligjshme, parandalimi efikas dhe lufta kundër pastrimit të parave, parandalimit dhe luftën kundër krimit të organizuar përmes koordinimit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, si dhe për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm.

Në përfundim të takimit u potencuan synimet e të ardhmes, rishikimi afatmesëm i Projektit dhe shqyrtimi i rezultateve të arritura në krahasim me planifikimin, si dhe marrja në konsideratë e prioriteteve të reja.