2133 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Këshilli vazhdon përmes Sekretariatit mbështetjen për zbatimin e SMIL-it në prokuroritë themelore

Prishtinë 19 tetor 2018 – Në kuadër të zbatimit të Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës, Drejtori i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Lavdim Krasniqi, i shoqëruar nga Udhëheqësi i Departamentit për Teknologjinë Informative, z. Nexhat Haziri, ka vizituar sot Prokurorinë Themelore të Ferizajt, ku është takuar me kryeprokurorin, z. Shukri  Jashari, prokurorë dhe stafin administrativ të kësaj prokurorie.

Me këtë rast, Kryeprokurori Jashari, ka shprehur gatishmërinë e lartë të stafit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj për zbatimin dhe aplikimin e projektit të SMIL-it, si dhe ka falënderuar Këshillin Prokurorial, e, në këtë kontekst, edhe Sekretariatin, për mbështetjen e vazhdueshme dhe qasjen e avancuar administruese të resurseve të përgjithshme, si dhe për krijimin e kushteve të mira të punës, duke garantuar vazhdimin e sigurt të zbatimit funksional të këtij sistemi modern.    

Kreu i Sekretariatit të KPK-së, z. Lavdim Krasniqi, ka diskutuar më tej me krerët e këtij institucioni për dinamikën e zbatimit të projektit të SMIL-it dhe lehtësimin e procedurave të punës gjatë përpunimit të lëndëve, duke ofruar mbështetje për mundësinë e regjistrimit të lëndëve në punë dhe përcjelljen e planit të punës për përdorimin e tij.

Në këtë takim janë potencuar edhe orientimet e përbashkëta të zbatimit të mëtejshëm të SMIL-it, duke precizuar në mënyrë të detajuar afatet kohore, resurset dhe metodologjinë efikase të trajnimit të stafit të kësaj prokurorie, me ç’rast pas procesit të trajnimit planifikohet të vihet në zbatim përdorimi i tërësishëm i tij, duke regjistruar të gjitha rastet në sistemin real, gjë që nënkupton një digjitalizim të plotë të punës.  

Këshilli Prokurorial i Kosovë do të vazhdojë përmes Sekretariatit mbikëqyrjen e aplikimit dhe zbatimit të SMIL-it në të gjitha prokuroritë e vendit, duke arritur avancimin dhe integrimin e tërësishëm të këtij procesi të punës, të barasvlershëm me nivelet evropiane të menaxhimit informativ të lëndëve prokuroriale.