2517 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Qasja dhe lehtësimi i zbatimit të komunikimit publik, temë diskutimi mes KPK-së dhe AGK-së

Prishtinë, 20 maj 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka pritur në takim përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, të udhëhequr nga kryetarja Gentiana Begolli.

Qëllimi i takimit ishte dhënia e njoftimeve të ndërsjella, sqarimeve të nevojshme dhe prezantimi i mundësive për fuqizimin e rolit, misionit dhe bashkëpunimit të Këshillit Prokurorial dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, si dhe monitorimi dhe dhënia e rekomandimeve për funksionalizimin dhe implementimin sa më të mirë të Rregullores për shërbimin e komunikimit publik në sistemin prokurorial të Kosovës, e cila është miratuar së fundmi nga KPK-ja. 

Në këtë kontekst, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka njoftuar në detaje përfaqësuesit e AGK-së për përpjekjet që po bëhen në drejtim të krijimit të kushteve për një komunikim publik adekuat. Sipas tij, bashkëpunimi është mënyra e vetme për tejkalimin e vështirësive dhe sfidave të përbashkëta, që kemi përpara dhe për arritjen e objektivave institucionalë për informim të drejtë të qytetarëve dhe avancimin e transparencës së komunikimin publik.   

Nga ana tjetër, Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli, ka theksuar se AGK-ja përcjell dhe analizon me vëmendje çështjet e ndërsjella, me ç’rast për rregullimin nënligjor të fushës së komunikimit publik në sistemin prokurorial do të gjenden forma profesionale për të dhënë vërejtjet dhe kontributin lidhur me qasjen dhe aspektet që lehtësojnë zbatimin e kësaj rregulloreje të rëndësishme.

Gjithashtu, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka propozuar që AGK-ja dhe mediat të monitorojnë zbatimin e kësaj rregulloreje, ndërsa pas një muaji mund ta mbajmë një takim të hapur për media në prani të përfaqësuesve të AGK-së, për të shprehur edhe njëherë transparencën dhe, natyrisht, nga ky eveniment do të mund të dilnin rekomandime të qëlluara, të cilat pastaj do t’i integrojmë në fushën e komunikimit publik në të ardhmen.

Me këtë propozim konkret të kreut të KPK-së janë pajtuar përfaqësuesit e AGK-së, të cilët do t’i njoftojnë përfaqësuesit e tyre dhe do të marrin pjesë pas një muaji në takim, në të cilin do të vijnë me rekomandime konkrete profesionale për të ndihmuar zbatimin praktik të efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës publike në sistemin prokurorial të Kosovës.