2547 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet takimi i 168-të KPK- së

Prishtinë, 7 qershor 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesi Bahri Hyseni, ka mbajtur takimin e 168-të me radhë, me ç’rast ka vendosur për një sërë pikash të rendit të ditës.

Që në fillim të takimit, Kryesuesi i Komisionit për Çështje Normative, Zejnullah Gashi, prezantoi Rregulloren për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve, e cila është hartuar pas hyrjes në fuqi të Ligjit për përgjegjësitë e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me ç’rast dhanë kontribut të madh ekspertët amerikanë, të cilët kanë mbështetur draftimin e saj në mënyrë aktive, rregullore kjo, e cila do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në fuqizimin e efikasitetit, efektivitetit, transparencës, llogaridhënies, përkushtimit dhe do të ndikojë në ngritjen e besimit të publikut. Gjithashtu, Këshilli mori vendim për sistemimin e stafit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor në Sekretariatin e KPK-së.

Gjithashtu Këshilli miratoi edhe Kërkesën e Parë Buxhetore 2020-2022, të cilën e prezantuan Kryesuesja e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, Dëshirë Jusaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit, Lavdim Krasniqi.

Ndërkohë, Kryesuesja e Grupit Punues për monitorimin e Planit Strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021, prokurorja Radica Miliq, ka raportuar për monitorimin e zbatimit praktik të këtij plan, e cila ka thënë se zbatimi i tij është duke shkuar sipas planifikimeve, me ç’rast monitorimi i tij do të jetë i vazhdueshëm.

Kurse vendimi i radhës i KPK-së kishte të bënte me dërgimin e propozimit te Presidenti i Kosovës për lirim nga detyra të prokurorëve, Imer Beka dhe Feti Tunuzliu, pasi që mosha e pensionimit të tyre do të arrijë më 15 qershor të këtij viti.

Rrjedhimisht, Këshilli vendosi që deri në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, prokurori Kujtim Munishi të caktohet si Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të kësaj prokurorie. Prokurori Munishi aktualisht është Udhëheqës i Departamentit të Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Prishtinës.

Këshilli aprovoi dy raporte - Raportin e Komisionit për Transferim dhe Avancim të Prokurorëve të Shtetit në Prishtinë dhe Ferizaj, respektivisht, Raportin e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së trembëdhjetë (13) prokurorëve të shtetit, si dhe vendosi të rishpallë konkursin për avansim për një prokuror në Departamentin për të Mitur në Prokurorinë Themelore të Gjakovës.