2558 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Diskutohen përcaktimet e politikave të rishikimit të sistemit të drejtësisë

Prishtinë, 12 qershor 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe Drejtorin e Njësitit për Vlerësimin e Përformansës së Prokurorive, Valon Jupa, ka pritur në takim përfaqësuesen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Julie Mosley.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i ecurisë së hartimit të politikave në procesin e rishikimit funksional të sektorit të drejtësisë, si definimi i çështjeve esenciale që ndërlidhen me pavarësinë dhe përcaktimin e parimeve kryesore për organizimin, kontrollin dhe mbikëqyrjen e sistemit prokurorial.

Me këtë rast, Kryesuesi ka informuar përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA-së për zhvillimet më të reja dhe aktivitetet e realizuara në këtë drejtim, sidomos në fushën e ngritjes dhe fuqizimit të kapaciteteve profesionale dhe administrative, duke theksuar se është duke u punuar në vazhdimësi që pavarësia dhe llogaridhënia të jenë parime bazike për definimin e politikave të sistemit prokurorial në Kosovë.

Ndër çështjet e tjera, për të cilat u diskutua ishin: çështjet e strukturimit, mandatit dhe çështjet e ndërlidhura me mënyrën e rekrutimit, transferimit dhe avancimit të prokurorëve, duke zbatuar format, procedurat dhe kriteret e drejta, pastaj vlerësimi i performancës së prokurorëve në bazë të kritereve sasiore dhe cilësore.

Në këtë takim u pajtuan të dyja palët që të ketë fokus të veçantë dhe mbështetje konkrete për përcaktimin e politikave që ndërlidhen me rishikimin funksional dhe harmonizimin e qëndrimeve të përbashkëta për avancimin e sistemit prokurorial.