2620 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Sistemi prokurorial me objektiv të veçantë kundër terrorizmit

Prishtinë, 4 korrik 2019 – Zëvendëskryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arben Ismajli dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, SKënder Çoçaj, kanë mbajtur takim me ekspertët e BE-së për hartimin e Planit të përbashkët të veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli, ka thënë me këtë rast se sistemi prokurorial i Kosovës është angazhuar në vazhdimësi për trajtimin e rasteve të terrorizmit dhe mbetet i përkushtuar në fuqizimin e mekanizmave ekzistues për rritjen e efikasitetit në luftimin e tij. “Sistemi Prokurorial i Kosovës është i gatshëm gjithmonë të jetë pjesë e planeve të përbashkëta për luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Ndërsa bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar për mbledhjen dhe shkëmbimin e informatave është objektiv i veçantë i Planit strategjik 2019-2021 të sistemit prokurorial të Kosovës”, tha Ismajli.

Në fund të fjalës së tij, Zëvendëskryesuesi Ismajli falënderoi institucionet e Bashkimit Evropian për mbështetjen që kanë dhënë në luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke shprehur vullnetin e sistemit prokurorial të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me të gjitha vendet kundër terrorizmit.

Bashkimi Evropian ka shprehur vlerësim të lartë për përkushtimin dhe përkrahjen e Kosovës në hartimin e Planit të përbashkët të veprimit kundër terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.