2621 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet punëtori për administratorët e prokurorive për reformat në sistemin prokurorial

Prishtinë, 5 korrik 2019 - Këshilli Prokurorial i Kosovës në bashkëpunim me Akademinë e Drejtësisë së Kosovës ka mbajtur një punëtori dyditore për zhvillimet kryesore në administratën e sistemit prokurorial, në të cilin morën pjesë administratorët e prokurorive të vendit.

Qëllimi i punëtorisë ishte që pjesëmarrësit të informohen dhe të kuptojnë zhvillimet kryesore për zbatimin e Ligjit për paga dhe Ligjit për zyrtarët publikë, pastaj të njihen me hapat konkretë që po bëhen në kuadër të reformës së administratës së sistemit prokurorial.

Në cilësinë e prezantuesve ishin: Bahri Hyseni, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Lavdim Krasniqi, Drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Në fokus të shtjellimit profesional të temave ishin edhe mundësitë për kategorizim të administratës së prokurorisë në sistemin e ri të pagave, reforma në administratën e Prokurorisë së Shtetit, si dhe diskutimet, pyetjet dhe komentet e zhvilluara në kuadër të këtyre prezantimeve.

Në diskutimet e zhvilluara gjatë kësaj punëtorie janë identifikuar edhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me funksionalizimin dhe mbarëvajtjen e administratës dhe përgjithësisht sistemit prokuorial të Kosovës.