2628 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Takim koordinues lidhur me trajnimin e prokurorëve

Prishtinë, 11 korrik 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni ka pritur në takim një delegacion nga Zyra e BE-së në Kosovë, të kryesuar nga Cezary Michalczuk, shef i Zyrës për sundim të ligjit - Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë.

Qëllimi i këtij takimi ishte koordinimi i aktiviteteve që lidhen me trajnimin e prokurorëve për implementimin e ligjeve të reja të hyra në fuqi, apo atyre që pritet të hynë në fuqi, me thekës të veçantë për implementimin e Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskim.

Kryesuesi Hyseni tha se përmes Planit Strategjik të sistemit prokurorial 2019-2021, është paraparë trajnimi i prokurorëve si nevojë e fuqizimit profesional të tyre, andaj pjesëmarrja e tyre në trajnime lidhur me ligjet e reja të hyra në fuqi, apo atyre që pritet të hynë në fuqi, është shumë e rëndësishme. Ai shtoi së për KPK-në është prioritet implementimi i Ligjit për kompetencat e zgjeruara për konfiskim, ndërsa trajnimi i prokurorëve lidhur me implementimin e këtij ligji është shumë i rëndësishme dhe duhet të realizohet përmes një koordinimi të mirë ndërinstitucional, në veçanti në mes të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor.

Për rendësin e trajnimit të prokurorëve në implementimin e legjislacionit të Kosovës foli edhe Cezary Michalczuk, shef i Zyrës për sundim të ligjit - Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë. Z. Michalczuk tha së Zyra e BE-së në Kosovë është e interesuar dhe e gatshme në organizimin e trajnimeve për prokurorë me qëllim të fuqizimit të kapaciteteve të tyre profesionale, me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftimin e korrupsionit dhe dukurive tjera kundërligjore.

Edhe në këtë takim përfaqësuesit e BE-së në Kosovë shprehen vlerësimin e institucioneve të cilat ata i përfaqësojnë, për punën e sistemit prokurorial në rritjen e efikasitetit në luftë kundër dukurive kundërligjore.