2649 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Shqyrtohet Raporti financiar për periudhën janar-qershor 2019

Prishtinë, 30 korrik 2019 – Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga Kryesuesja, Prokurorja Dëshirë Jusaj, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin përveç anëtarëve të komisionit, ka marrë pjesë edhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i Raportit financiar për gjashtëmujorin e parë të këtij viti. Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, ka prezantuar raportin e shpenzimeve, duke përfshirë të gjitha programet buxhetore të Këshillit sipas kategorive ekonomike të buxhetit të vitit 2019.  Gjithashtu, për periudha të njëjta kohore janë bërë krahasime të shpenzimeve me shpenzimet e vitit paraprak.

Pas diskutimeve, Komisioni ka vlerësuar raportin financiar, duke konstatuar se realizimi i buxhetit është bërë sipas planifikimit për këtë vit dhe në disa nënkategori të shpenzimeve ka ndryshime pozitive në raport me shpenzimet e njëjta të vitit paraprak.