2664 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Diskutohet zbatimi i SMIL-it në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës

Prishtinë, 13 gusht 2019 – Në kuadër të ofrimit të mbështetjes administrative për zbatimin sa më efektiv dhe efikas të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL), Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, i shoqëruar nga Udhëheqësi i Departamentit të Teknologjisë Informative, Nexhat Haziri, ka vizituar Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, me ç’rast është takuar me Kryeprokurorin e kësaj Prokurorie, Shyqri Syla.

Gjatë kësaj vizite, drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Lavdim Krasniqi, ka thënë se në kuadër të kompetencave të tij është në shërbim të plotë të avancimit të trendëve të përgjithshëm për zbatimin e SMIL-it në Prokurorinë Themelorë të Mitrovicës, duke ofruar të gjitha mundësitë dhe mjetet në dispozicion për të përshpejtuar procesin e punës për regjistrimin e lëndëve të vjetra dhe lëndëve vijuese.

Nga ana tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Shyqri Syla, ka thënë se ka marrë gjithë mbështetjen e nevojshme të Sekretariatit të KPK-së për realizimin e trajnimeve për përdorimin e SMIL-it, ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve të teknologjisë informative, të cilat mëpastaj do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në procesin e futjes së standardizuar të të dhënave në SMIL, kurse kohëve të fundit janë në koordinim e sipër të mbarëvajtjes së duhur të punës për zbatimin e këtij sistemi tejet të rëndësishëm.  

Në këtë takim, rrjedhimisht u potencua nevoja e zbatimit të drejtë profesional të këtij sistemi modern të futjes së të dhënave të sistemit prokurorial, të cilat ndikojnë në shumë aspekte, përfshirë fuqizimin e transparencës edhe ngritjen e performancës së prokurorëve dhe vlerësimit të tyre pas zbatimit praktik të Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve.