2683 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Koordinohet realizimi i një ankete për perceptimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës

Prishtinë, 28 gusht 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka marrë pjesë në një takim me përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Sektorit të INL-së në Prishtinë dhe përfaqësuesit e Institutit “Riinvest”.

Qëllimi i takimit ishte koordinimi i përbashkët i realizimit të një ankete për perceptimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, e cila do të realizohet me gjyqtarë dhe prokurorë dhe kategori të tjera.

Fillimisht, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka thënë me këtë rast se marrja e opinioneve dhe të dhënave të tjera lidhur me këtë çështje është jashtëzakonisht e çmueshme dhe realizimi i kësaj ankete do të përkrahet plotësisht nga të gjithë zyrtarët e sistemit prokurorial të Kosovës.     

Gjatë takimit u diskutuan mënyrat adekuate dhe mundësitë e lehtësimit të bërjes së kësaj ankete, e cila ndërlidhet me avancimin dhe fuqizimin e shërbimeve të përgjithshme të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Bashkëbiseduesit u pajtuan që të lehtësohet qasja gjatë realizmit të anketës, e cila zhvillohet në kuadër të projektit të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, me ç’rast u tha se nuk do të mungojë angazhimi dhe vullneti për të mbështetur realizmin e kësaj ankete.