2702 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Hyseni në vizitë studimore në SHBA

Prishtinë, 11 shtator 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, në cilësinë e kryesuesit të Komisionit për Politikë Ndëshkimore, bashkë me kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skender Çoçaj dhe anëtarët e këtij komisioni, kryetaren e Gjykatës Themelore të Prishtinës, Afërdita Bytyqi, gjyqtarin e Gjykatës Supreme Agim Maliqi si dhe me prokurorin e Shtetit Agron Qala, po qëndrojnë në një vizitë studimore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në ditët e para të vizitës, që ka filluar këtë të hënë, delegacioni i gjyqësorit nga Kosova, ka zhvilluar takime me gjyqtarë të njohur, përfshirë John Tunheim, nga Gjykata e Qarkut të Mineapolis, takim me kryeprokurorin e Minesotas, Keith Ellison, pastaj kanë marrë pjesë në seanca gjyqësore e panele diskutimi, me qëllim të përfitimit të përvojave, sa i përket politikës ndëshkimore në sistemin gjyqësor, amerikan.

Takimet e radhës do të zhvillohen me udhëheqës e anëtarë të komisionit për politikë ndëshkimore të Minesota-s, përfshirë Kelly Mitchell, kryesuese e Komisionit për Politikë Ndëshkimore në Saint Paul, Minesota, pastaj me profesorët e Universitetit të Minesotës, Richard Fraze dhe Kevin Reitz, me prokurorë nga Distrikti Uashington etj.

Vizita njëjavore në Minesota është mundësuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në kuadër të planit të punës për implementim të Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore në Kosovë.