2723 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet tryezë e rrumbullakët për zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë

Prishtinë, 25 shtator 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli dhe disa anëtarë të KPK-së, kanë marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët, të cilën e ka organizuar Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), me ç’rast ishin të pranishëm Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe shoqërisë civile.

Qëllimi i organizmit të kësaj tryeze ishte diskutimi për zhvillimet e fundit të drejtësisë përgjatë periudhës mars – shtator 2019, i cili është përmbledhur në një analizë të platformës “Drejtësia Sot” të Grupit për Studime Juridike dhe Politike.   

Në këtë kontekst, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka theksuar rëndësinë e madhe të respektimit të parimeve të mosndërhyrjes së askujt në sistemin prokurorial, duke nxjerrë në pah disa të gjetura në analizën e GSJP-së, të cilat i ka cilësuar si të paqëndrueshme lidhur me rastet e evidentuara. Kryesuesi Hyseni në vijim ka prezantuar një sërë faktesh të shkruara për proceset transparente dhe zbatimin e drejtë të akteve ligjore dhe nënligjore nga KPK-ja, duke treguar se emërimet kanë qenë të bazuara ligjërisht, të drejta dhe meritore, si dhe reagimet e Këshillit në mbrojtje të ligjshmërisë pas shkeljeve të bëra nga prokurorët dhe ndëshkimin e veprimeve joetike, si dhe hapat e ndërmarrë për fuqizimin e transparencës, efikasitetit, integritetit, pavarësisë dhe paanshmërisë së përgjithshme të sistemit prokurorial.  

Ndërkaq, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka diskutuar rrjedhimisht për veprimet operative të Prokurorit të Shtetit, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të të gjitha llojeve në Kosovë, pavarësisht se nga cili nivel vijnë dhe origjinës së tyre institucionale apo politike, duke përmendur raste të shumta, ku ka vënë në pah hapat institucionalë për mbrojtjen dhe sigurinë e pavarësisë së prokurorëve, si dhe aktakuzat e ngritura për profilet e larta të korrupsionit dhe krimit të organizuar.      

Nga ana tjetër, Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka lavdëruar Këshillin Prokurorial për hartimin e Rregullores për emërimin e kryeprokurorëve, megjithatë, sipas tij, sistemi prokurorial duhet t’i adresojë çështjet në rastet kur prokurorët e shtetit atakohen apo denigrohen publikisht nga politikanët, si dhe të këtë më shumë rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të profilit të lartë.