2735 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Mbahet tryezë për procedurën e ndërmjetësimit

Prishtinë, 4 tetor 2019 –  Referentët për ndërmjetësim të prokurorive dhe gjykatave dhe ndërmjetësuesit kanë mbajtur një tryezë për procedurat e ndërmjetësimit, të organizuar nga UNDP-ja në kuadër të Projektit “Përmirësimi i qasjes në drejtësi dhe i reformës së sundimit të ligjit në Kosovë”, i cili financohet nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë.

Në këtë tryezë të udhëhequr nga Prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, janë diskutuar sfidat e referentëve për ndërmjetësim dhe ndërmjetësuesve, në të cilat përfshihen mungesa e hapësirave adekuate për mbajtjen e seancave të ndërmjetësimit, detyrat e referentëve gjatë mbajtjes së një seance të ndërmjetësimit dhe mënyra e caktimit të ndërmjetësuesve me pëlqimin e palëve, ashtu siç e parashohin aktet ligjore.

Gjithashtu në fokus të diskutimeve ishin edhe rregullat ligjore për procedurën e ndërmjetësimit, çështja e pagesave, veprimet procedurale gjatë rasteve me persona madhorë dhe të mitur, me ç’rast u tha se Këshilli Prokurorial mbetet i angazhuar të krijojë kushtet për realizmin e punës së referentëve për ndërmjetësim dhe të sigurojë zbatimin e infrastrukturës ligjore.

Në përfundim të tryezës doli si kërkesë profilizimi i ndërmjetësuesve, i cili do të duhej të bëhej nga Ministria e Drejtësisë (MD), gjë që do të lehtësonte punën e prokurorëve dhe gjykatësve, të cilët varësisht nga rastet e referuara kërkojnë ndërmjetësues të profileve të ndryshme.