2751 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Lufta kundër korrupsionit, në fokus të takimit Hyseni – Havolli

Prishtinë, 1 nëntor 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka pritur në takim Drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, me ç’rast kanë diskutuar për sundimin e ligjit në Kosovë, me fokus të veçantë për zbatimin e tri ligjeve, që ndërlidhen me luftën kundër korrupsionit.

Me këtë rast është biseduar për Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Ligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve dhe Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë të zyrtarëve të lartë publikë dhe deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e dhuratave për të gjithë personat zyrtarë.

Kryesuesi Hyseni dhe Drejtori Havolli kanë thënë se zbatimi i këtyre ligjeve është shumë i rëndësishëm për sistemin e drejtësisë në Kosovë, prandaj shtrohet nevoja e një koordinimi të vazhdueshëm të institucioneve për arritjen e sukseseve.

Rrjedhimisht, bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe çështje të tjera të interesit të përbashkët institucional për luftimin e korrupsionit dhe veprimeve antiligjore.

Në fund të takimit u vlerësua lart bashkëpunimi i deritashëm KPK-AKK, duke shprehur gatishmërinë e thellimit të tij, me qëllim të sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.