2754 - Single_lajmi | Keshilli Prokurorial i Kosoves

Kryesuesi Hyseni ka pritur në takim ekspertët e misionit vlerësues të TAIEX-it

Prishtinë, 5 nëntor 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, i shoqëruar nga Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu, ka pritur në takim një delegacion të misionit vlerësues të Asistencës Teknike dhe Shkëmbimit të Informacionit (TAIEX) të Komisionit Evropian.

Qëllimi i këtij takimi ishte evidentimi i rezultateve të arritura, trajtimi i politikave sektoriale dhe vlerësimi i përgjithshëm i funksionimit të kapaciteteve institucionale të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë, krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Rrjedhimisht, Kryesuesi Hyseni, njoftoi të pranishmit për organizimin, rolin, kompetencat dhe punët që është duke i bërë Këshilli Prokurorial i Kosovës, kurse U.D. Kryeprokurori i PSRK-së, Shefkiu, iu përgjigj interesimit të delegacionit nga Komisioni Evropian për vështirësitë dhe sfidat e Prokurorisë Speciale, me theks të veçantë në përdorimin dhe zbatimin e kritereve të caktuara ligjore lidhur me procedimin e lëndëve dhe përgjegjësinë e prokurorëve.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka shprehur mirënjohje të veçantë për kontributin e Bashkimit Evropian për sistemin prokurorial të Kosovës, duke theksuar se janë duke punuar vazhdimisht për tejkalimin e sfidave, ngritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve për të pasur efikasitet në punë, llogaridhënie dhe transparencë.